“Aeroplani u rrëzua. Nuk e di ku është vëllai im. Nuk shoh asnjë pasagjer tjetër. Nuk e di si jam gjallë, si dola nga aeroplani.”
Këto ishin fjalët tronditëse që Viswashkumar Ramesh, një britanik 40-vjeçar, i tha babait të tij përmes një video-telefonate, pak pasi kishte mbijetuar në mënyrë të pabesueshme nga një prej katastrofave më të mëdha ajrore në historinë e Indisë.
Viswashkumar ishte duke u kthyer nga një udhëtim biznesi në Indi me vëllain e tij Ajay Kumar, 35 vjeç. Të dy hipën në fluturimin tragjik nga Ahmedabad drejt aeroportit Gatwick të Londrës, të enjten. Ai ishte ulur në vendin 11A, ndërsa vëllai i tij Ajay në anën tjetër të korridorit, në vendin 11J – por vetëm Viswashi arriti të mbijetojë.
Sipas Daily Mail, aeroplani Boeing 787 Dreamliner u përplas pak pas ngritjes në zonën e populluar Meghani të qytetit, rreth orës 13:40 sipas kohës lokale. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur avioni përplaset në tokë dhe shpërthen në flakë.
Në vendngjarje janë konfirmuar 279 viktima, mes tyre 53 shtetas britanikë. Ky bilanc e rendit tragjedinë ndër më të rëndat në shekullin XXI.
Viswashi, ende me gjak në fytyrë, arriti të dilte nga pjesa e aeroplanit që ishte rrëzuar mbi një ndërtesë njëkatëshe. Ai thyen derën dhe doli mes rrënojave, derisa u ndihmua nga banorët lokalë dhe u transportua me ambulancë në spital. Nga aty, ai thirri babanë e tij dhe mes lotëve tha:
“Nuk e shoh askënd tjetër… Ku është Ajay? Duhet ta gjeni Ajay.”
Kushëriri i tyre, Ajay Valgi, tha për BBC se Viswashi ka një grua dhe një djalë të vogël në shtëpi.
“Ai vetëm tha se është mirë. Ne jemi të lumtur që ai është gjallë, por të shkatërruar për vëllain tjetër.”
Në shtëpinë familjare në Leicester, të afërmit janë mbledhur për të mbështetur nënën e djemve, e cila është aq e pikëlluar sa nuk mund të flasë.
“Është një mrekulli që të paktën njëri prej tyre mbijetoi,” tha vëllai më i vogël, Nayan.