Në një nga intervistat e tij të fundit sa ishte gjallë, Dr. Shukri Gërxhaliu kishte rrëfyer për përjetimet e grave të dhunuara nga ushtria serbe gjatë luftës në Kosovë. Në duar, ai mbante rrëfimet tronditëse të tyre, të cilat i kishte mbledhur për shumë vite me radhë.
Ish-pjesëtari i UÇK-së kishte treguar edhe numrin e grave nga Vushtrria, që sipas tij u dhunuan nga forcat serbe. Mjeku në pension përmendte rastet më të rënda që i kishte dëgjuar vetë nga gratë e dhunuara. Tek ai ishte rrëfyer edhe Vasfije Krasniqi, e cila më vonë e ndau publikisht historinë më të rëndë të jetës së saj.
Veterani i UÇK-së kishte theksuar se disa nga gratë e dhunuara që ai i kishte trajtuar, kishin aplikuar për statusin e të dhunuarave. Por shumica prej tyre, sipas tij, kishin një kërkesë të përbashkët: drejtësia dhe vëmendja e shtetit.
Gërxhaliu kujtonte se ishte kontaktuar nga gratë e dhunuara edhe pas publikimit të fotos nga deputetja Flora Brovina, ndërsa theksonte se shteti kishte bërë shumë pak për to, raporton T7.
Mjeku nga Vushtrria kishte dëshmuar tri herë kundër liderëve serb në Hagë, duke e lënë pas vetes një trashëgimi të dhimbshme por të çmuar: zërin dhe historitë e grave që u bënë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës.
