Sot bëhen dy vite pa Dr. Shukri Gërxhaliun, mjekun dhe humanistin e njohur

Sot bëhen dy vite pa Dr. Shukri Gërxhaliun, mjekun dhe humanistin e njohur

Sot mbushen dy vite nga ndarja nga jeta e Dr. Shukri Gërxhaliut, mjekut dhe humanistit të njohur, i cili la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

Dr. Gërxhaliu, u bë i njohur për përkushtimin e tij në shërbim të pacientëve dhe për rolin që pati gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai ofroi ndihmë mjekësore për të plagosurit, për civilët e dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe më pas dëshmoi në Tribunalin e Hagës për krimet e kryera ndaj shqiptarëve.

Krahas misionit të tij si mjek lufte, Dr. Gërxhaliu u dallua për guximin dhe humanizmin e treguar ndaj viktimave të dhunës seksuale, duke qenë një prej zërave të parë që dëshmoi për tragjeditë e grave shqiptare. Për këtë kontribut ai u nderua me Çmimin “Vasfije”, si simbol i guximit dhe përkushtimit ndaj të vërtetës dhe dinjitetit njerëzor.

Familja e tij, përmes një mesazhi përkujtimor, ka shprehur dhimbjen e madhe për humbjen, por edhe krenarinë për trashëgiminë që ai la pas.

“Largimi i tij në amshim la një boshllëk të madh në zemrat tona, por dashurinë, urtësinë dhe humanizmin e la si trashëgiminë më të çmuar që ne do ta ruajmë përjetësisht. Përgjithmonë në zemrat tona”, thuhet në mesazhin e familjes.

Figura e Dr. Shukri Gërxhaliut mbetet e gjallë jo vetëm në kujtimet e familjarëve, por edhe në mendjet e qytetarëve që e njohën dhe përjetuan nga afër kontributin e tij.